Nuk mund të thuhet se është fundi i botës, gjithsesi me 1 pikë në 3 ndeshje, nuk është Juventusi i vërtetë, por diçka tjetër. Rekordmenët e titujve në Serinë A “e pinë gotën e helmit” sërish, duke u mundur në fushën e Napolit, në një nga ato ndeshje që dikur i fitonin ose minimalisht i barazonin. Edhe pse suksesi ishte detyrim, duket se janë të vërteta fjalët e Xhorxho Kielinit se “kjo nuk është një skuadër” dhe kështu ndodhi në humbjen 1-2.
Gjithçka nisi shumë mirë për “Zonjën e Vjetër” kur Alvaro Morata e kaloi në epërsi në stadiumin “Maradona” në minutën e 10-të, ndërsa pjesa e parë u mbyll 0-1. Gjithsesi, pas pushimit u shfaqën “fantazmat” dhe në mungesë të Ronaldos nuk po vijnë as golat e shumtë, dhe as fitoret. Mateo Politano dhe Kalidu Kulibali përmbysën rezultatin me rrjetat e minutave 57 e 85. Në një kohë që Juventusi është zhytur në mizerie, Napoli po fluturon lart, të paktën në 3 javët e para të Serisë A, duke arritur 3 fitore me golaverazhin 6-2. “Prifti” Luçiano Spaleti po e mban siç duhet “meshën napolitane”.
Trajneri Alegri nuk e bëri sërish dramë duke thënë se “nuk do t’i qortoj lojtarët e mi, ndërsa mendjen duhet ta kemi tek Malmoe në Champions”. Kielini, kapiteni i ekipit, po ashtu theksoi se “të ulim kokën e të punojmë shumë e të flasim pak, do të jetë skuadra e Dibalës”. Gjithsesi, për momentin mediat italiane shkruajnë se “Morata ndërton, Shezni e Kean shkatërrojnë”. Edhe 6 vjet më parë, Juvja pati 1 pikë në 3 ndeshje pa gabimeve të veta, por pastaj doli kampion.
Sfidanti.al