“Njësia matëse” tek Juventusi, për një kohë të gjatë, ka qenë Avokati i madh, Xhani (Xhovani) Anjeli. Ish-presidenti pati dy dobësi të mëdha në epokën e gjatë të “mbretërimit” në Torino. i pari quhej Omar Sivori dhe ishte ylli me sjellje të vështirë nga Argjentina, ndërsa i dyti e kishte emrin Mishel Platini, profesori francez i viteve 80-të. Asnjë lojtar tjetër sado i madh (dhe të tillë Juventusi ka pasur plot) nuk arriti të hynte kaq shumë në zemrën e tij.
Nëse Anjeli i vjetër do të kishte qenë gjallë sot, dobësia e tij e tretë do të ishte padyshim Paulo Dibala. “La Hoja” apo “La Zhoja”, pra “Diamanti” (siç është pseudonimi i argjentinasit) shkëlqeu ndaj Barcelonës duke vërtetuar parashikimin e Bufonit se “Dibala është ndër 3 lojtarët më të mirë të botës”. Barcelona, sidomos, e ndjek prej kohësh dhe mund të bëjë një ofertë të rëndësishme.
Pavarësisht, Juventusi arriti të siguronte një “po” nga supertalenti 23-vjeçar që rinovoi kontratën deri në vitin 2022 në këmbim të rrogës maksimale që mund të lejojë sot klubi, 7.5 milionë euro në sezon. Mediat kanë shkruar se Dibala ka klasin dhe etikën e punës për të ndërtuar një skuadër fituese rreth tij dhe një tjetër Anjeli, Andrea (presidenti i sotëm) vendosi të bëjë pikërisht këtë. Juventusi është ndër të paktët klube në Europë që kur ndodhet në kulm, është në gjendje të bindë edhe më të mirët që të mos shkojnë tek Reali apo Barcelona. Kështu po bën edhe me Dibalën.
Sfidanti.al