U tregua dyfish human pas mbrëmjes së madhe në një sezon të vështirë. Kristiano Ronaldo ua dedikoi shokëve dy golat e shënuar në stadiumin e Bajernit në Ligën e Kampionëve, ndërsa pohoi se kurrë nuk e kishte menduar se do të arrinte ndonjëherë në 100 gola në Europë. Ylli portugez është pikërisht në këtë “gur kilometrik” pas shpërthimit në pjesën e dytë në “Alianc Arena”. i pari futbollist që u ngjit deri aty, ia ka dalë në 143 ndeshje me një ritëm që pasqyron zhvillimin e karrierës së tij. Një rrjetë e vetme në 32 takime, pastaj 99 në 111 të tjera, pak a shumë me mesataren e Mesit që ka 97 gola në 112 ndeshje.
CR7 po afrohet pak nga pak në shifrën e 400 golave për Realin, ndërsa aktualisht është në 392, realizuar në 385 ndeshje. Një mesatare prej “përmbindëshi”, sidomos kur shikon se Raul Gonzales që është i dyti, ka 323 gola në mbi 700 ndeshje. Portugezi lë pas edhe yjet e tjerë Di Stefano, Pushkash, Butragenjo, Santiliana apo Hugo Sançez.
Ronaldo është i madh edhe me fanelën e Portugalisë. Me 138 ndeshje ai ka thyer rekordin e Luis Figos (127), ndërsa me 71 gola ai është shumë i shkëputur me ish-rekordmenët Pauleta (47), Euzebio (41) dhe Figo (32).
Sfidanti.al