Juventusi, gati për “tripletën”, thonë Bonuçi e Marota!

Nuk bëhet fjalë sesa është e mundshme. Juventusi thjesht duhet të besojë se mund t’ia dalë që të fitojë Ligën e Kampionëve pas 21 vjetësh, dhe të plotësojë një treshe trofesh këtë sezon. Kjo është bindja e Leonardo Bonuçit, mbrojtësit të rëndësishëm, pas eleminimit të Barcelonës. Duket se kampionët e Italisë kanë ende nevojë për konfirmim ndërsa ndodhen ndër 4 më të mirët e Championsit, së bashku me Realin, Atletikon dhe Monakon. “Tripleta është vetëm çështje në kokë, – tha ai, duke iu referuar mentalitetit të duhur, – duhet të ruajmë përqëndrimin për 1 muaj e gjysmë që ka mbetur deri në fund. Kemi qenë të bashkuar dhe të ndërgjegjshëm se çfarë duhet bërë për të fituar”.

Klubi ndërkaq ka vendosur që të vazhdohet me trajnerin Alegri. Këtë e pohon Bepe Marota, administratori i deleguar juventin. “Ky sukses ishte një kënaqësi e madhe, – tha ai, – erdhi mbi të gjitha falë kulturës së punës, por është një sukses i pjesshëm, nuk do të thotë asgjë nëse nuk do ta fitojmë Championsin”. “Meritat e Alegrit janë të mëdha, nuk ka asnjë arsye që të mos vazhdojmë bashkë, jemi dy realitete që kuptohemi siç duhet”, – deklaroi Marota, i cili theksoi se viti 2006, pra i dënimit të Juventusit për të rënë në Serinë B, “tani është larg”.

Sfidanti.al