“Funerali Champions”, Mesi, trajneri dhe e ardhmja e Barçës!

Asnjë rrëzim në botë nuk kishte qenë kaq i rëndë për Barcelonën sesa ky, të paktën në 15 vitet e fundit. Ndërsa mediat europiane flasin për “funeralin në Champions”, klubi gjigand katalanas ka shumëçka për të “shoshitur”. Cila do të jetë e ardhmja e Lionel Mesit, i cili ende nuk ka rinovuar kontratën edhe pse i përfundon vitin e ardhshëm? Cili do të jetë trajneri i ri, pas largimit të deklaruar të Luis Enrikes në fund të sezonit, moment që mund të ndikojë shumë në vendimin e Mesit? A do të ketë ndryshime të tjera në klub, ku duket qartë se ka çarje lidhur me vetë yllin argjentinas?

Fundi i ciklit për Andres Iniestën duket më pranë, po ashtu edhe aftësia për të mbajtur ritmin fitimtar për një kohë të gjatë nga yjet e tjerë si Pike, Zhordi Alba apo Buskets. Vetë Mesi nuk është më 25 vjeç, ndërsa blerjet nuk kanë dalë të suksesshme. Nuk dihet saktë se i kujt mund të jetë faji, i Luis Enrikes apo drejtorit sportiv, Robert Fernandez, por dështimet janë shumë.

Arda Turan, Andre Gomez, Pako Alkaser, Aleish Vidal, Lykas Dinje dhe Denis Suarez, që të gjithë nuk bindën, dhe bëhet fjalë për një gjysmë formacioni. Për ta u shpenzuan gati 180 milionë euro, shifër që në një klub tjetër do të kishte ndërtuar një skuadër të madhe. Pritet që së pari, Barça të vendosë çështjen e trajnerit me Luis Valverden si favorit. Të tjerat, do të vijnë më pas.

Sfidanti.al