Klop fajëson dëmtimet që Liverpuli nuk është për titull!

“Ju na kritikoni, por hidhini një sy listës sonë të dëmtimeve”. Kështu ka thënë trajneri I Liverpulit, Jurgen Klop, ndërsa skuadra e tij bëhet gati të ndeshet me Kristal Palasin në Premier Ligën angleze. “Të kuqtë” e lavdishëm dolën edhe një herë tjetër nga gara për titull, dhe gjermani po provon sesa e vështirë është liga angleze, veçse ai mendon se ka faktet në favor të tij në gjithë këtë histori. E vërteta është që për ndeshjen e radhës, Klop ka në dispozicion vetëm një mbrojtës qendre të padëmtuar, Dejan Lovrenin.

“Mendoj se nëse do të kishim pasur mundësi të luanim pa kaq shumë dëmtime, do të kishte qenë ndryshe, – u shpreh gjermani, – ne, edhe kështu, jemi vetëm 6-7 pikë larg zonës më interesante të tabelës. Nuk do të ishte çudi të kishim luftuar për titull, por kjo tani nuk ka rëndësi”. Ka një statistikë që I jep shumë të drejtë trajnerit, pasi Liverpuli nuk ka humbur asnjë ndeshje kur në fushë ka qenë dyshja titullare e qendrës së mbrojtjes, e përbërë nga Lovren dhe Matip, por këta shumë shpesh nuk kanë qenë bashkë në formacion.

Sfidanti.al