Ngjan jo pak me patriotin e tij, edhe pse ka të veçantat e veta. Leonardo Zhardim, ashtu si Zhoze Murinjo, nuk ka qenë kurrë një futbollist i madh, dhe po ashtu ai është një portugez. Ky burrë 42-vjeçar po shkruan sot historinë e tij në botën e egër të futbollit europian, ndërsa vendlindja mban një emër interesant, Barcelonë, veçse në Venezuelë, ku dy prindërit e tij portugezë vendosën ta ngjiznin në vitin 1973.
Zhardim arriti gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, diçka e madhe në drejtim të një skuadre jo aq të madhe sa Monako, ndërsa po lufton për të fituar edhe titullin kampion në Francë. Njeriu me mentalitetin më sulmues në Europë sot për sot, është i qartë sesi qendrojnë gjërat. “Ne nuk jemi favoritë për ta fituar Championsin, – thotë ai, – Reali, Atletiko dhe Juventusi janë në letër më të fortë se ne, por kjo nuk do të thotë se nuk do të provojmë. Për më tepër, nuk do të heqim dorë nga stili ynë sulmues”.
Trajneri ka jo pak përvojë, edhe pse është ende shumë i ri. Karrierën me moshat e ka nisur që kur ishte 22 vjeç, ndërsa tek të rriturit filloi në 2003. Tashmë ka mbi 500 ndeshje në stol dhe një bilanc mjaft pozitiv edhe pse shumica e ekipeve që ka drejtuar kanë qenë modeste si Kamaça, Çaves, Beira-Mar apo Braga. Ngjitja nisi në Greqi me Olimpiakosin ku fitoi titullin dhe kupën në 2013, ndërsa konfirmimi tek Sportingu u ktheu fatet e klubit në 2014.
Që nga ajo kohë është tek Monako ku po ngjitet nga sezoni në sezon. Ai përfundoi dy herë në vend të tretë në ligën franceze, ndërsa këtë vit është në krye me 90 gola të shënuar deri tani.
Sfidanti.al