Prosinecki , a mund ta ndryshosh Valencian? Spanja tokë e njohur…

Legjenda e futbollit kroat dhe ish-futbollisti i Realit të Madridit, Barcelonës dhe Crvena Zvezdës Robert Prosinecki, sipas mediumeve spanjollë, është midis kandidatëve kryesorë për t’u ulur në stolin e drejtimit të Valencias. Ish-trajneri i Crvenës serbe, momentalisht, është trajner i ekipit përfaqësues të Azerbajxhanit dhe kontrata e tij përfundon në dhjetor të këtij viti. Dihet, tanimë, se kryesia e Valencias ka realizuar disa kontakte me strategun kroat, duke i bërë të ditur atij planet e veta për të ardhmen.

Ky ekip spanjoll, gjatë këtij sezoni, ndodhet në një formë që lë për të deshiruar, ndërkohë që udhëheqësia e Valencia synon që të gjejë një trajner që do ta pranojë projektin e saj për të ardhmen dhe t’i japë ekipit një filosofi që do ta bëjë atë të dallueshëm nga ekipet e tjerë. Në fakt, Prosinecki është i përshtatshëm për këtë qëllim, pasi ai, jo vetëm që e njeh mirë futbollin spanjoll, por ka lënë të shënuar emrin e tij atje. Mbas fitimit të Kupës (Ligës) së Kampioneve me Crvena Zvezdën, më 1991, Prosinecki ka luajtur me disa ekipe spanjolle, fillmisht, me Realin e Madridit, gjatë tre sezoneve, ndërsa, nga një sezon, ai ka luajtur me Barcelonën, Oviedon dhe Seviljen.

Sfidanti.al