Juventusi fiton më në fund në Serinë A, por nuk bind!

U kthyen tek fitorja e parë në kampionat pas dy humbjeve e një barazimi. Lojtarët e Juventusit e kuptuan në fushë se fjalët e trajnerit të tyre, Masimiliano Alegri, kishin qenë të sakta. “Nuk jemi bërë fenomenë thjesht sepse kemi mundur Zenitin, – tha ai, – ndaj Fiorentinës duhet të tregojmë veten”. Fiorentina vërtet u tregua “kockë” e fortë duke u mundur vetëm në minutën e parë shtesë në stadiumin “Alianc” të Torinos, falë golit me diagonale të Huan Kuadrados. “Zonja e Vjetër”  u ndihmua edhe nga kartoni  i kuq për Milenkoviçin në 73’ kur mori të verdhën e dytë ndaj Kiezës.

Të dyja skuadrat kërkuan penallti, ndërsa Juventusi krijoi më shumë raste për shënim, sidomos pas pushimit. Gjithsesi, Fiorentina e përballoi mirë në pjesën e parë. Gazetat italiane kritikuan se Juvja nuk ishte agresiva sa duhet dhe për pak u shtang nga “vjollcët” që u dëmtuan kur mbetën me 10 vetë. Alegri me siguri u shqetësua nga ajo që ndoqi, sepse bardhezinjtë nuk po arrijnë të nxjerrin një ndeshje të vërtetë nga fillimi deri në fund, edhe kur kjo është e domosdoshme. Të dyja skuadrat kanë nga 18 pikë duke qenë larg vendeve të para të renditjes.

Sfidanti.al