Balliu e Vajekano trembin Realin, por nuk ndalin Krosin e Benzemanë!

Në kombëtaren shqiptare këtë herë nuk pati vend, por titullar në La Liga vazhdon të jetë pa ndërprerje. Mbrojtësi i krahut Ivan Balliu ishte në radhët e Rajos së Vajekanos, në një derbi të vogël në fushën e Realit të Madridit për kampiontin spanjoll. Imponimi i emrit të madh “merenges” dhe i stadiumit “Santiago Bernabeu” bëri që fillimi i ndeshjes të ishte një tmerr pasi Toni Kros shënoi që në 14’. Në 38’, erdhi edhe goditja e dytë nga Karim Benzema, që po kalon një sezon të jashtëzakonshëm ashtu si Levandovski apo Salah. Gjithsesi, Rajo dhe Balliu nuk e kishin thënë fjalën e fundit. Mbrojtësi shqiptar mori të verdhë në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, ndërsa pas pushimit miqtë patën më shumë guxim. Sulmuesi legjendar, Radamel Falkao, shkurtoi diferencën në 76’, por Reali u mbajt deri në fund, dhe tani ka 27 pikë, dy pikë më shumë sesa Sociedadi me të njëjtin numër ndeshjesh, 12. Madrilenët presin ndeshjet e Seviljes dhe të Atletikos, që do të jenë të vështira, përkatësisht në fushën e Betisit dhe Valencias.

Sfidanti.al