Tirana në versionin “rul” ndaj Dinamos: 4-0; harron derbin e Kupës!

Në fushë ishte i njëjti derbi, por këtë herë me një histori krejt tjetër. Vetëm pak ditë pas humbjes 0-2 në Kupën e Shqipërisë, Tirana ndryshoi gjithçka dhe triumfoi 4-0 ndaj Dinamos në duelin e Superligës. Kryesuesit e kampionatit dominuan gjatë gjithë kohës dhe mund të kishin fituar me rezultat edhe më të thellë ndaj një kundërshtari që i vuri në diskutim supremacinë këtë sezon. Mesa duket, disfata e Kupës ishte edhe për shkak të nënvleftësimit, ndërsa këtë herë tiranasit hynë në fushë që nga minuta e parë për të arritur fitoren me çdo kusht. Gjithsesi, u desh të prisnin 45 minuta pasi avantazhi erdhi vetëm në fund të pjesës së parë. Pas pushimit, epërsia u rrit dhe u shoqërua me 3 gola të tjerë, dy nga të cilët u shënuan nga Xhixha dhe një nga Hoti.

Dinamo e trajnerit Bledi Shkëmbi vuajti mungesat që i pati më të shumta sesa Tirana, e ndoshta mendoi se meqë fitoi në Kupë, mund t’ia dilte pa problem edhe në kampionat. Ndoshta, nënvleftësimi ishte në krahun e kundërt. Nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi, Tirana është kthyer në forcë të parë të kampionatit dhe kryeson me 20 pikë, duke qenë e shkëputur 6 pikë nga Kukësi i vendit të dytë. Edhe pse është ende shpejt, pasi janë luajtur vetëm 8 javë kampionat, Shehi po përsërit atë që bëri ekipi i ish-trajnerit Emanuel Egbo, që doli kampion i Shqipërisë në vitin 2020.

Sfidanti.al