Ja çfarë e pret Ksavin tek Barcelona: “Po luajmë me fëmijë”!

Do të ketë disa ditë punë në fushën e stërvitjes dhe pastaj do ta drejtojë ekipin në fushën e stadiumeve. Ksavi Hernandez e ka tashmë të plotësuar ëndrrën për të qenë në stolin e Barcelonës, veçse momenti në të cilin kthehet në “Kamp Nou” nuk është më i miri i mundshëm. E tregoi qartë ndeshja e La Ligës në fushën e Seltës së Vigos që përfundoi 3-3, edhe pse katalanasit kryesuan 3-0 në pjesën e parë. Golat e Ansu Fatiut, Busketsit dhe Memfis Depait duket se e futën fitoren “në kasafortë” për “blaugranët”, por ndodhi ndryshe. Një gafë e Ter Shtegenit solli golin e parë që ndryshoi humorin në fushë dhe Selta goditi tri herë me rrjetat e Aspasit, Nolitos dhe sërish Aspasit në minutën e 7-të shtesë.

Në pjesën e dytë, Barça bëri ndryshime të detyruara si Arauhon për Erik Garsinë, Balden për Ansu Fatiun dhe Nikon për Riki Puigin. Në fund edhe Gavi ia la vendin të riut tjetër Ezalzuli. “Jemi duke luajtur më fëmijë, – thotë trajneri Sergi Barhuan, – dhe në kushte të tilla është e vështirë të mbash ritmin për 90 minuta. Për më tepër, u detyrova të bëja 3 ndryshime për shkak dëmtimesh, dhe kjo i prishi skemat taktike. Në pjesën e parë ne ishim shumë mirë edhe në fazën sulmuese, edhe në fazën mbrojtëse, ndërsa pas pushimit nuk patëm alternativat dhe mundësitë e duhura. Nuk dua që të justifikohem, por kjo është e vërteta”.

Sfidanti.al