Juventusi e Man. Junajtidi zbresin në Ligën e Europës, trajnerët respektojnë rivalët!

Duket sikur të jetë Liga e Kampionëve. Në të vërtetë, sonte luhen ndeshjet e para çerekfinale në konkurrimin e dytë më të rëndësishëm të kontinentit, por emrat e skuadrave janë imponues. Në Ligën e Europës luajnë Juventusi, Mançester Junajtidi, Sevilja, Roma apo edhe Fejënordi. “Zonja e Vjetër” pret Sportingun e Lisbonës në orën 21:00, ndërsa De Shilio mungon ashtu si Paredes, por kthehen Pogba, Kean, me Vlahoviçin që është në dispozicion. Trajneri Alegri flet për rivalin.

“Sportingu është ekip që ka 7 fitore dhe 4 barazime në 11 ndeshjet e fundit. Skuadër teknike dhe e organizuar, me trajner të ri dhe shumë të mirë. Duhet të kemi shumë respekt. Ne jemi përgatitur dhe kemi besim se mund t’ia dalim. Duhet të hedhim hapin e parë që të kërkojmë kualifikimin në Lisbonë”.

Mançester Junajtidi i trajnerit Ten Hag luan po në orën 21:00 ndaj Seviljes në “Old Traford”. Futbollistë si Garnaço e Shou nuk janë për këtë sfidë, ndërsa Ten Hag vlerësoi Seviljen, por gjykoi se skuadra e tij ka shanse të mira. “Mendoj se ne kemi një ekuilibër të mirë në mesfushë me Kasemiron, Kristian Eriksenin dhe Brunon. Ata bashkëpunojnë mjaft me njëri-tjetrin, në mbrojtje dhe në sulm, duke krijuar raste. Sevilja është një kundërshtar shumë i fortë, ekipi me më shumë përvojë në Ligën e Europës, por ne kemi mundësitë tona”.

Sfidanti.al