Tragjedia e volejbollit, përse u vetëvra ylli ri i rrjetës italiane?!

Me skuadrën e tij ishte në brigjet e Bosforit për një ndeshje të madhe. Gjithsesi, shkëlqimi i një çerekfinaleje të Championsit në volejboll për femra u errësua plotësisht nga një ngjarje tragjike që ndodhi disa orë më vonë, me pasojë humbjen e një jete. Mediat italiane dhe ato turke njoftojnë se volejbollistja italiane Julia Ituma është gjetur e vdekur, dhe besohet se ka vrarë veten. Kamerat në hotelin ku po qendronte skuadra e saj, Novara, kanë fiksuar momentet e fundit përpara tragjedisë ku duket se vajza 18-vjeçare nuk ka qenë aspak në gjendje të mirë.

Sipas hetimeve që po kryejnë autoritetet turke, Ituma është hedhur nga ballkoni i dhomës së saj në katin e gjashtë të hotelit, dhe për këtë shkak ka gjetur vdekjen. Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë natës, dhe shoqja e saj e dhomës, Hulia Varela, nuk ka ndjerë asgjë sepse ishte duke fjetur. Trupi është gjetur në orën 5.30 të mëngjesit. Nuk dihen arsyet se përse adoleshentja mund ta ketë bërë një gjë të tillë, ndërsa agjenti i saj në Itali thotë se vajza ka qenë e lumtur në Novarë, ndërsa cilësohej si një e ardhme e volejbollit Skuadra kampione e Italisë u kthye nga Stambolli në atdhe pas tragjedisë dhe pas humbjes 0-3 në fushën e Ekzacibashit, ndërsa të gjitha sportistet ishin të tronditura, ashtu si edhe stafi teknik.

Sfidanti.al