Goditja është e rëndë dhe mund të ketë pasoja. Egnatia do të duhet të luajë ndeshjet e mbetura të kampionatit pa jashtë fushe dhe pa tifozë. Ky është vendimi i Komisionit të Disiplinës, marrë këtë të enjte, me arsyesimin se Rrogozhinë pati dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes në sfidën e Superligës ndaj Partizanit. Disiplina thekson se dhuna ndaj zyrtarëve në stadiumin e Egnatias është e përsëritur, pra ka ndodhur edhe në sfida të tjera, dhe ky ishte shkaku që vendimi ishte i skajshëm. Pezullimi pritet të dëmtojë shanset për Europën të skuadrës modeste në emër, por të fortë në pretendime.
Rrogozhinasit janë 8 pikë prapa Tiranës kryesuese në renditjen e Superligës, në vendin e tretë, dhe teorikisht kanë mundësi të pretendojnë titullin dhe kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm. Dënimi, po ashtu, besohet se do të ndihmojë ekipet e tjera, duke nisur që nga ndeshja ndaj Laçit në 15 prill, për të vazhduar me duelet ndaj Bylisit, Erzenit dhe Kukësit. Ekipe si Erzeni, por ndoshta edhe Laçi e Kukësi mund të jenë pretendentë për të hyrë në zonën europiane, ku aktualisht ndodhet Egnatia.
Sfidanti.al