Juventus fiton dhe shkon në finale, por Napoli proteston!

Juventusi është finalistja e parë e Kupës së Italisë, “biletë” siguruar me fitoren 3-1 në Torino ndaj Napolit. Ishte një ndeshje më e mirë për kampionët, që krijuan më shumë raste, por edhe me protesta të napolitanëve për dy episode në pjesën e dytë. Skuadra e Alegrit krijoi shumicën e rasteve për gol, duke qenë më lart sesa kundërshtari, natyrisht ndihmuar edhe nga prania e shumicës dërrmuese të tifozëve në stadiumin “Juventus”.

Gjithsesi, ishte Napoli që kaloi i pari në epërsi në minutën e 36-të kur topin e dërgoi në rrjetë Hoze Maria Kajehon. Piemontezët iu afruan barazimit që në pjesën e parë, por e arritën menjëherë pas pushimit. Gjyqtari dha penallti në minutën e 46-të dhe një minutë më vonë, Dibala e ktheu në gol. Presioni juventin vazhdoi dhe Higuain shënoi në portën e ish-ekipit të tij në minutën e 64-ët.

Më pas erdhi moment që vendosi sfidën përfundimisht. Në 68’, Albion u rrëzua në zonë, por gjyqtari Paolo Valeri nuk e quajti penallti, ndërsa një minutë më vonë dha 11-metërsh për ndërhyrjen e Reinës ndaj Kuadrados. Protestat ishin të shumta, por kuptohet pa ndiki. Dibala nuk gaboi as këtë herë. Në vazhdim Napoli u përpoq, por pa mundur të depërtonte në mbrojtjen vendase, ndërsa për nënkampionët e Italisë nuk luajti Elseid Hysaj, që nuk ishte as në stol. Juventusi, 11 herë fitues i trofeut (rekordmen), po ashtu fitues në fuqi, do të presë finalisten e dytë që do të dalë nga ndeshja e së mërkurës në mbrëmje, Lacio-Roma.

Sfidanti.al