Çdo klub në botë e ka zili sesi drejtohen punët në “Old Traford”. Edhe pse Mançester Junajtidi nuk ka pasur suksese që nga viti 2013 kur u largua Sër Aleks Fergusoni (me përjashtim të Ligës së Europës dhe kupë në Angli fituar nga Murinjo), sërish drejtuesit e tij kanë qenë në gjendje të nxjerrin para “nga guri”, dhe “djajtë e kuq” janë në vend të tretë përsa i përket të ardhurave vjetore me 666 milionë paundë stërlina. Vetëm Reali dhe Barcelona janë mbi të, në renditjen botërore të klubeve.
Mançester Siti, ndërkaq, është kthyer në një superfuqi sportive, duke fituar katër tituj kampion në vitet e pronësisë nga sheikët arabë, një titull me Mançinin, një me Pelegrinin, dhe dy me Pep Guardiolën. Trajneri katalanas ka fituar edhe 3 Kupa të Ligës si dhe një Kupë të Anglisë, ndërsa shpresat janë të mëdha këtë sezon në Champions, pas fitores në fushën e Realit. Nga ana financiare, pavarësisht pronarëve stërmiliarderë, Siti është prapa Junajtidit me568 milionë paundë stërlina të ardhura vjetore. Gjithsesi, hetimi i UEFA-s mund t’i zvogëlojë këto shifra e ndoshta të prekë edhe sukseset sportive.
Këto dy skuadra ndeshen sot në “Old Traford”, në derbin e radhës në Premier Ligë, dhe Siti quhet favorit, edhe pse jashtë fushe. Vendasit nuk do të kenë sërish Pol Pogbanë, por edhe Markus Rashfordin, ndërsa diferenca në renditje është 15 pikë në favor të djemve të Pepit. Siç thotë Guardiola, “nuk e prisja që diferenca të ishte kaq e madhe”.
Sfidanti.al