Ndodhi në pjesën e katërt ndaj Lejkërsave në Los Anxhelos, kur ai pati një rrëzim dhe u duk se u dëmtua në një farë mënyre në gju. Janis Antetokumbo u vu në dyshim për ndeshjen e radhës të Miluokit, atë ndaj Feniksit, edhe pse mundi ta përfundonte ndeshjen në Kaliforni. Trajneri Majk Badenholzer (Budenholzer) shprehet se “ai u duk se nuk pati ndonjë problem, se ishte krejt në rregull, por gjithsesi, kontrolli mjekësor duhet bërë, dhe shpresojmë që gjithçka të jetë mirë”. Antetokumbo është shpresa e vetme që Miluoki të luftojë për titull dhe ta fitojë atë, pak a shumë siç është Lebron Xhejmsi për Lejkërsat (ndonëse ata kanë edhe Entoni Dejvisin), e Koui Leonardi për Klipersat. “Ne duhet ta mbrojmë atë nga vetvetja, – ishin fjalët e trajnerit, – ndonëse gjithçka duket në rregull”. Normalisht, Miluoki reagon me fitore pas çdo humbjeje, ndonëse nuk dihet sesi do të jetë pa kapitenin, tani që u pësua humbja e 10-të e sezonit, dhe është e sigurt edhe matematikisht se nuk mund të barazohet rekordi i të gjitha kohëve, i mbajtur nga Golden Stejti, me vetëm 9 humbje në sezonin e rregullt.
Sfidanti.al