Junajtid mund Çelsin për Championsin, por VAR-i punoi veç kundër vendasve!

Bruno Fernandez mund të thotë se po luan për skuadrën më të madhe të botës, dhe Harri Megajer mund të mburret se kishte parashikuar se do të shënonte në stadiumin “Stemford Brixh”, por gjithsesi, ata duhet t’ia dinë për faleminderit gjyqtarit Antoni Tejlër. Mançester Junajtidi fitoi 2-0 në fushën e Çelsit, dhe iu afrua fare pranë zonës Champions të Premier Ligës, veçse kjo ndodhi sepse pikërisht mbrojtësi Megajer i shpëtoi një kartoni të kuq të padiskutueshëm.

Ishte pjesa e parë, rezultati ishte 0-0, dhe Megajeri goditi me shkelm në organet gjenitale futbollistin vendas, Miçi Baçuai. Gjyqtari Tejlër, dhe kreu i VAR-it në stadium, Kris Kavanag, nuk vepruan dhe qendërmbrojtësi i Anglisë vazhdoi lojën, ndërsa nëse do të ishte përjashtuar, Junajtidi do të kishte mbetur me 10 vetë, pra vështirë se do të kishte fituar. “Ai është djalë me fat”, – komentoi me shaka, ish-kapiteni i Junajtidit, Roi Kin. Jo vetëm kaq, por VAR-i anuloi një gol të rregullt të Çelsit, shënuar nga Kurt Zuma, që do ta kishte barazuar ndeshjen 1-1. Antoni Marsial dhe Harri Megajer shënuan rrjetat, dhe “djajtë e kuq” ishin më mirë në pjesën e dytë, duke pasur tani 38 pikë, në vend të 7-të, ndaj 41 të Çelsit që mban vendin e katërt, pozicionin e fundit që të kualifikon për në Champions.

Sfidanti.al