Jo vetëm policia shqiptare, edhe ajo e Liverpulit nuk gjen dot fajtorët

E mbani mend besoj çerekfinalen e Ligës së Kampionëve mes Liverpulit dhe Mançester Sitit. Ajo sfidë mbeti në mendje të njerëzve jo vetëm për fitoren e papritur 3-0 të të kuqve, por edhe për trazirat përpara saj, kur tifozët vendas sulmuan me sende të forta autobusin e skuadrës mike, duke i shkaktuar jo pak dëme.

Patjetër që nisi një hetim nga policia britanike, por tashmë mediat japin lajmin e pabesueshëm se autoritetet nuk kanë arritur të identifikojnë asnjë nga fajtorët. Policia deklaroi se e pati të pamundur të gjente ata që sulmuan autobusin, duke ia vënë fajin tymit të dendur të shkaktuar nga tymueset dhe flakadanët. Asnjë arrest nuk u mund të bëhej, edhe pse pati filmime nga brenda autobusit, dhe si video të shumta të hedhura në internet.

Mançester Siti nuk komentoi zyrtarisht, por “Deili Meil” shkruan se zyrtarët e klubit u shprehën të habitur dhe të zemëruar me këtë përfundim të policisë. Pra, nuk është vetëm policia shqiptare që shpesh nuk bën dot asnjë ndalim, siç ndodhi në dhunën e takimit Skënderbeu-Partizani, por kjo ngjan edhe me një nga policitë më të mira dhe më të respektuara në botë, si ajo britanike.

Sfidanti.al