Jehonë mediatike dhe humor. Kështu mund të përmblidhet pas-ndeshja mes Italisë dhe Spanjës në Euro 2020. E përditshmja italiane, “La Gazeta delo Sport” përgjigjet me titull në spanjisht: Fiesta! Itali heroike në “Uembli”, është finale! Çfarë vuajtjeje, Spanja përkulet pas penalltive! “Il Korriere delo Sport”: Zoti është italian! Spanja nokaut pas penalltive! Të kaltrit në finale, një gëzim i papërmbajtshëm! Të dielën luajmë finalen në “Uembli”! “Tutosport”: Çfarë luanësh! Euro 2020, Itali-Spanjë 5-3 pas penalltive, në finale! Forca të kaltër!
E përditshmja “Marka”: Me nder! Spanja bie pas penalltive pasi ishte superiore me lojë ndaj Italisë, dhe largohet e pathyer nga Europiani! Seria e 11-metërshave i buzëqeshi të kaltërve! Gazeta “AS” shkruan titullin në italisht: “Porka mizeria”, pra fatkeqësi derrash! Spanja e meritoi që të kalonte në finale, por ra pas penalltive! Luis Enrike: Ekipin e vlerësoj shumë lart! “Sport” e Barcelonës: Lamtumirë e padrejtë! E kuqja bie pas penalltive, ndonëse ishte shumë superiore ndaj Italisë që qendroi vetëm në mbrojtje! Kemi të ardhme me Luis Enriken!
Jehonë edhe në Europë. “L’Ekip” i Parisit e shkruan titullin italisht: Alegri! Më pak e bukur sesa në ndeshjet e kaluara, Italia gjen virtytet e saj tradicionale të realizmit dhe vetëmohimit për të eleminuar Spanjën me penallti! Ja edhe “Deili Meil” nga Anglia i bën jehonë fjalëve të analistëve: Italia, një arrë e vështirë për t’u thyer në finale! Mançini ka kthyer për mbarë fatin, ka 33 ndeshje pa humbje, është një hap larg titullit! “Bild” e Gjermanisë komenton momentin e hedhjes së monedhës për gjuajtjen e penalltive, duke shpjeguar veprimin e dy kapitenëve, Kielini e Zhordi Alba.
Kur u hodh monedha, të dy thanë “fitova unë”, por arbitri gjerman i dha të drejtë italianit. Kielini i tha me shaka Albës “gënjeshtar, gënjeshtar”, dhe nisi të qeshte. Emocionet ishin të mëdha edhe për analistët. Legjenda e Italisë, Xhanfranko Zola u hodh përpjetë nga gëzimi pas penalltisë së Jorginjos, ndërsa ishte në televizionin “Bein Sports”. Gazetari spanjoll, Tomas Ronsero, i njohur si ultras i Realit dhe Spanjës, u dëshpërua shumë ndërsa ndiqte ndeshjen në vendin e tij të punës në televizionin spanjoll “AS”.
Sfidanti.al