Kryesia e klubit të basketbollit, Golden Stejt Uorriors, nënkampion i NBA-s, gjatë javës së ardhshme do të zhvillojë takime me basketbollistët e vet më të mirë, Kevin Durant dhe Klej Tompson.
Këta dy yje të basketbollit amerikan janë tani lojtarë të lirë dhe synimi i kryesisë së Golden Stejtit është që t’i mbajë në radhët e veta të dy basketbollistët e mësipërm që do të mund ta ndihmojnë këtë klub që të vazhdojë të jetë konkurrent në NBA gjatë sezoneve të ardhshëm, me përjashtim të sezonit pasardhës, pasi si Duranti, ashtu edhe Tompsoni, nuk do të mund të luajnë në pjesën më të madhe të tij, për shkak të dëmtimeve serioze që kanë pësuar.
Menaxheri i përgjithshëm i klubit, Bob Majers, gjatë serisë finale të fundit të play-offit, premtoi se të dy basketbollistëve të lartpërmendur do t’u ofrohen kontrata maksimale.
Duranti dëmtoi thembrën e Akilit në ndeshjen e pestë të serisë finale kundër Toronto Raptorsave, kurse Tompsoni këputi ligamentet e gjurit në ndeshjen e fundit të kësaj serie, mbas fitores të së cilës Toronto u shpall kampion i NBA-s për herë të parë në historinë e vet.
Sfidanti.al