Barça, i do Nejmarin e Grizmanin? Shit Kutinjon dhe Dembelenë

Gazetat dhe revistat sportive katalanase këto ditë janë mbushur me fotomontazhe dhe skema, ku shihen emrat e Mesit, Nejmarit e Grizmanit për fazën e sulmit, por ku nuk duken aspak Filip Kutinjo apo Usman Dembele. Ky përjashtim duket se shpreh të vërtetën e asaj që po ndodh në klubin e Barcelonës, ku po mendojnë pikërisht për dy blerjet e mëdha.

Lajmet nga Katalonja janë që Barça mund të përballojë marrjen e dy yjeve si Grizman dhe Nejmar, vetëm nëse transferon me shifra të rëndësishme Kutinjon dhe Dembelenë, që kushtuan vjet rreth 280 milionë euro së bashku. Presidenti Bartomeu po përgatit blerjen e kartonit të Grizmanit, për ta prezantuar sa më shpejt, ndërsa për Nejmarin është ende në pritje. Në “Kamp Nou” e dinë se do të jetë tepër e vështirë të gjenden paratë për yllin brazilian, sepse Paris SG kërkon 300 milionë euro.

Atëherë, e vetmja zgjidhje është largimi i Kutinjos dhe Dembelesë, ndonëse agjentit të këtij të fundit i kanë thënë se Nejmari nuk do të vijë dhe se sulmuesi mund të rrijë i qetë. Në futboll, e vërteta dihet se është relative, pra mund të mos mbetet e vërtetë deri në gusht. Pra, Nejmari mund të vijë, por do të duhen 100 milionë euro, si dhe paratë e mbledhura nga kartonët e Kutinjos dhe Dembelesë.

Sfidanti.al