Sa arsye duhen për të mundur Izraelin? Dikush jep 3 arsye përse do të fitojë Shqipëria, një tjetër ka formuluar 5 arsye, ka të tjerë që ofrojnë një “furgon” me arsye. Metafora me furgon, i shkon kësaj ndeshjeje, meqë ata kanë bërë një transport unikal për futbollistët. Sidoqoftë, ajo që i bashkon arsyetimet e ndryshme, ia vlen të gjykohet: sipas tyre, ekipi i Izraelit, është një grup që mund të quhet i shthurrur taktikisht.
Një dobësi e madhe për një ekip të vogël, ndërsa harrojmë të pyesim veten: po ne cilët jemi taktikisht? Në dy ndeshjet e fundit, me Spanjën dhe me Lihteshtejnin, me më të fortët dhe me më të vegjëlit, nëse nuk ia dredhim kujtesës, nuk kemi treguar dinjitet taktik. Të festosh vetëm pikët me Lihtenshtejnin, është si të ngopesh me lugën bosh. Izraelin nuk e njohim shumë, dhe paralajmërimi i Salihit ishte edhe taktik për ata që e kuptuan “ Mos bëni dramë edhe nëse kapni barazimin, sepse janë të hidhur në fushë”