Italia mburr Mançinin, por Seria A është gjithnjë e më pak “e kaltër”!

Fitorja e Europianit dhe sidomos loja shumë e mirë e kombëtares italiane sollën entuziazëm të madh dhe vlerësim të thellë për parimet që ndoqi Roberto Mançini në ekipin përfaqësues. Në Apenine u lumturuan nga futbolli sulmues dhe nga fakti se trajneri i dha dorën elementëve të rinj, deri në atë kohë jo edhe aq të vlerësuar si Barela, Lokateli, Spinacola, Kieza apo Pesina, sa për të marrë disa emra. Gjithsesi, siç analizon “Il Korriere delo Sporti”, futbolli italian shkon në të kundërt me parimet e Mançinit. Një ligj i vitit 2019 ua ka bërë më të lehtë klubeve të marrin lojtarë të huaj sesa italianë. Kjo sepse nëse një lojtar merr 3 milionë euro në sezon, po të jetë italian ai i kushton klubit 6 milionë euro (50 për qind taksë), ndërsa po të jetë i huaj 4.5 milionë (25 për qind taksë). Kjo ka bërë që në transferimet e fundit erdhën 101 të huaj, dhe në total Seria A ka 362 të huaj dhe 232 italianë, që do të thotë 39.1 për qind. Pra, kampionat italian po bëhet gjithnjë e më pak i kaltër.

Sfidanti.al