Një Itali që e pati të vështirë të shënonte golin e parë, por që nuk ka dyshime se e meritoi fitoren. Kështu të kaltrit nisën Kampionatin Europian në stadiumin “Olimpiko” të Romës me suksesin 3-0 ndaj Turqisë, dhe me rrjetat që erdhën pas pushimit. U fillua me këmbën e mbarë, pas këngës së Andrea Boçelit dhe Françesko Totit e Alesandro Nestës që nisën topin e parë nga qendra. Në 45’ e para, skuadra e Roberto Mançinit pati epërsi dhe krijoi dy-tri momente për gol, por mbrojtja turke ishte shumë e ngjeshur. Vendasit kërkuan me të drejtë një penallti në fund të pjesës së parë, por gjyqtari nuk e dha edhe pse u këshillua me VAR-in.
Pas pushimit, epërsia e Italisë dha fryte, dhe shumë shpejt Demiral shkaktoi autogol pas topit të hedhur fort në zonë nga Berardi. Kaq u desh dhe pas kalimit në avantazh, të kaltrit e patën më të lehtë ndaj një Turqie të tronditur dhe jo shumë të aftë për të mbajtur topin përballë presionit të vendasve. Spinacola kontrollon bukur e gjuan fort, portieri Çakir e ndalon topin, por nuk mundet ta presë dhe Imobile e dërgon në rrjetë. Në 80’, Çakir, më i miri në fushë për miqtë, gaboi dhe Berardi-Imobile-Insinje kombinojnë për golin e kapitenit të Napolit. Fitore e rëndësishme e Italisë që tregon se është pretendente për titullin europian, më shumë sesa për rezultatin, për lojën që zhvilloi.
Itali-Turqi 3-0 (Demiral (a) 53’, Imobile 66’, Insinje 80’)
Italia (4-3-3): Donaruma, Florenci (Di Lorenco 46’), Bonuçi, Kielini, Spinacola, Barela, Jorginjo, Lokateli (Kristante 73’), Berardi (Bernardeski 85’), Imobile (Beloti 81’), Insinje (Kieza 81’). Tr. Mançini.
Turqia (4-1-4-1): Çakir, Çelik, Demiral, Sojunxhu, Merash, Jokuslu (Kahvexhi 65’), Karaman (Dervishoglu 76’), Tufan (Ajhan 65’), Jazexhi (Xhengiz Ynder 46’), Çalhanoglu, Jilmaz. Tr. Gynesh.
Sfidanti.al