Pak vlerë kishin parashikimet, dhe pak vlerë kishte bilanci mes tyre në këtë sipërfaqe dheu të ngjeshur. Këtë herë, Novak Gjokoviç ishte në një nivel që u quajt i pabesueshëm, dhe që ai e kishte arritur vetëm një herë në “Rolan Garos”, në 2016. Vetëm kështu mund të arrihej të mundej i Plotfuqishmi i Parisit, Rafael Nadal, dhe kështu ndodhi në një ndeshje që do të mbetet në histori. Në më shumë se 4 orë betejë, numri 1 i botës arriti ndoshta fitoren më të madhe të karrierës, 3-1, edhe pse humbi setin e parë.
Rezultati flet vetë: 3-6, 6-3, 7-6, 6-2! Kjo ishte humbja e tretë e Nadalit në “Rolan Garos” në 17 vjet, dhe dy prej tyre ia ka shkaktuar Nole, që ka bilancin 30 fitore ndaj 28 humbjeve me spanjollin. Kjo ishte hera e parë që Rafa mundet në gjysmëfinale në këtë Grand Slem, një tjetër arritje e beogradasit, që të dielën luan finalen për titull ndaj grekut Stefanis Cicipas. Serbi është vetëm 1 fitore larg Grand Slemit të 19-të në karrierë, që do ta linte vetëm 1 trofe pas Rozher Federerit dhe pikërisht Nadalit. Spanjolli mbetet në 13 tituj, por është padyshim “Mbreti” i Francës, pasi i ka që të gjithë rekordet, dhe në 108 ndeshje ka 105 fitore e vetëm 3 humbje. E jashtëzakonshme!
Sfidanti.al