Inzagi: Interi ka edhe 13 finale deri në fund të sezonit në Serinë A!

Humbja me Sasuolon djeg shumë, por trajneri zikaltër nuk është nga ata që dorëzohen. Simone Inzagi ka aq përvojë në profesion saqë ta dijë se nuk ia vlen të krijohet një dramë nga një humbje, edhe kur rrezikon shumë në renditje. “Ne gabuam në mënyrën sesi e luajtëm ndeshjen, – tha tekniku, – Sasuolo ishte më e freskët se ne dhe bëri ndeshje të madhe. E dinim se duhej të tregoheshim të kujdesshëm, por nuk e bëmë dhe për këtë jam shumë i zemëruar. Mund të kisha zëvendësuar më shumë se dy lojtarë në pushim. Tani, të rikuperojmë energjitë fizike dhe mendore. Ka edhe 13 finale deri në fund, ndërsa kemi ndeshje pas 4 ditësh”. Gjithsesi, pas kritikave ka mesazh qetësie. “Asnjë ankth për ne, – tha Inzagi, – lojtarët janë kampionë dhe me përvojë, janë mësuar me presionin. Edhe sulmuesit do të shënojnë, pavarësisht momentit. Të mos harrojmë se kemi sulmin më të mirë të Serisë A”.

Sfidanti.al