Nuk ka nevojë ta përfundojë mendimin, sepse imagjinata mjafton për të kuptuar. Simone Inzagi, trajneri i Interit, i lëshon një paralajmërin gjithë Serisë A pas fitores 4-0 ndaj Kaljarit, edhe pse skuadra e tij është vetëm 1 pikë mbi Milanin ndjekës. Kryesimi i kampionatit nuk është diçka e “vulosur” dhe e përfunduar, por gjithsesi, ritmi dhe mënyra e lojës e kësaj skuadre është diçka që asnjë tjetër në Itali nuk mund ta bëjë, të paktën për momentin.
“Kampionati është i gjatë, – thotë Inzagi, – por, nëse vazhdojmë kështu do të isha shumë i lumtur. Jemi të parët, por nuk duhet të shohim renditjen. Jam i kënaqur me ekipin që kam sepse kam shumë lojtarë të mirë në dispozicion, që të 25-të kanë qenë shumë të mirë”. Natyrisht, Inzagi ka të drejtë sepse në stol pati Edin Xhekon që nuk e hodhi për asnjë minutë në fushë, po ashtu Vesinon, D’Ambrozion, Kolarovin, Ranokian apo Galiardinin. Po ashtu, Korrea është i dëmtuar.
Interi (3-5-2): Handanoviç, De Vraj, Shkriniar, Bastoni, Damfris (Di Marko 72’), Barela, Brozoviç (Vidal 72’), Çalhanoglu (Sensi 76’), Perishiç (Xanoti 83’), Lautaro Martinez (Satriano 73’), Sançez.
Sfidanti.al