Napoli reagoi me një komunikatë për gjendjen e mesfushorit polak, duke garantuar se analizat janë bërë që të gjitha dhe se rezultatet janë negative. Piotr Zielinski, pra, nuk ka probleme në mushkëri dhe as në zemër, ndonëse u detyrua të dilte nga loja vetëm pas 10 minutash ndaj Empolit, sepse pati probleme në frymëmarrje. Lehtësim për gjendjen e futbollistit napolitan, dhe shpresë që të mos ketë përsëritje të rasteve të Eriksenit apo edhe të Agueros që ishte më i lehtë. Ndërkaq, shqetësimi tjetër ka të bëjë me ndeshjen ndaj Empolit, humbur 0-1, dhe për gjendjen e vështirë tashmë në Serinë A. Trajneri Luçiano Spaleti mallkon edhe fatin. “Nuk kemi shkëlqimin dhe forcën e duhur, – thotë ai, – jemi në një moment të vështirë, por nuk po na ecën as fati, episodet i kemi kundër, siç ndodhi me Zielinskin apo më vonë me Elmasin”. Napoli u duk i lodhur nga suksesi i së enjtes në Ligën e Europës ndaj Leisterit, një ndeshje tepër e vështirë, dhe duket që ashtu si Milani, nuk mund të përballojë dy kompeticione njëherësh.
Sfidanti.al