Interi, Spaleti po mendon për një sulmues në krah të Mauro Ikardit

Aleksis Sançez është një nga “mollët e sherrit” në këtë verë të transferimeve në futboll, dhe dhëmbët gati për “të kafshuar” i ka edhe Interi. Trajneri i ri, Luçiano Spaleti, me siguri i ka detajuar planet me drejtuesit e klubit, ndërsa mediat thonë se emri më i përmendur është ai i sulmuesit kilen. Sançez do të ishte shoku ideal i repartit për Mauro Ikardin, do të kushtonte jo më shumë se 40-50 milionë euro (ka vetëm 1 vit kontratë të mbetur me Arsenalin), dhe ndërkaq e njeh futbollin italian pasi ka luajtur me Udinezen.

Interi e ka dashur gjithnjë, edhe përpara sesa të shkonte në Udine, edhe përpara se të merrej nga Barcelona, ndërsa tani mund të jetë “e treta e vërteta”. Kileni ka të njëjtin sponsor teknik si Interi, një plus jo edhe aq i vogël në futbollin-biznes të sotëm dhe po ashtu është në formë shumë të mirë sportive. Pak besohet se mbetet tek Arsenali, ndërsa Bajerni duket se është tërhequr nga gara.

Spaleti ka edhe plane të tjera, raportojnë mediat italiane. Duhet një lojtar i krahut të majtë (Dalbert apo Samir), një mbrojtës qendre (Diop?), një mesfushor i fortë, me Keitan e Lajpcigut që kushton 55-60 milionë euro, dhe po kaq edhe Naingolan e Vidal. Duhet edhe sulmuesi që mund të luajë në krah, si Sançez, por ndoshta edhe Felipe Anderson, Mane, Brant (Leverkusen), Dagllas Kosta apo Konopljanka (Shalke).

Sfidanti.al