Interi luan sezonin në 16 ditë, por sonte kthehet Lukaku

“La Gazeta delo Sport” titullon në kopertinë: “Unë jam Lukaku! Zgjidh problemet!” E pra, ky “zjarrfikës” (po ta krahasojmë me Sergio Ramosin) kthehet sonte në përballjen “për jetë e vdekje” ndaj Fiorentinës në Serinë A. Sulmuesi belg dhe Ashraf Hakimi munguan në duelin e parë gjysmëfinal të Kupës ndaj Juventus dhe mungesa e tyre u ndje pasi erdhi humbja 1-2, ndërsa sonte Konte do t’i ketë në formacion, në “San Siro” në orën 20:45. “Big Rom” e përmirëson skuadrën jo vetëm në sulm duke shënuar gola, e duke ndihmuar shokët të realizojnë, por ka një kontribut të madh edhe në mbrojtje. Jo më kot Xhenaro Gatuzo thoshte “provoni t’i hiqni Lukakun Interit, Ibrën Milanit dhe Ronaldon Juves, dhe do ta kuptoni sesa e vështirë është”. Ndërkaq, në vetëm 16 ditë Interi luan një pjesë të madhe të sezonit sepse radhazi janë ndeshjet me Fiorentinën, Milanin, Lacion dhe Juventusin (për kupë). Diferenca me Milanin e vendit të parë është -2 pikë, ndërsa nga “poshtë” po afrohet Juventusi ndaj nuk ka më vend për gabime.

Sfidanti.al