Interi ka dy mënyra për ta marrë Kumbullën, e për ta lënë tek … Verona!

Nuk duan të humbasin kohë për një lojtar të tillë.v Interi po nxiton për të siguruar shërbimet e Marash Kumbullës, dhe mediat italiane njoftojnë se zikaltërit kanë bërë dy oferta konkrete për kartonin e mbrojtësit të kombëtares shqiptare. Oferta e parë besohet se është e tillë, që milanezët japin një sasi parash në kesh, që mund të jetë deri në 25 milionë euro, plus kartonin e sulmuesit Salsedo, që luan tek Verona, por që është në pronësi të Interit.

Oferta e dytë pritet të jetë plotësisht financiare, dhe do të zgjidhet ajo më e përshtatshmja, sipas edhe kërkesave të klubit veronez. Trajneri interist, Konte, dhe drejtuesi i lartë Marota mendojnë se 20-vjeçari mund të lihet edhe një vit në huazim në stadiumin “Bentegodi” për të pasur më shumë minutazh në dispozicion, e për të fituar pjekurinë e duhur përpara sesa të kalojë në “San Siro”.

Drejtuesit e Helasit të Veronës dëshirojnë të paktë 28 milionë euro të menjëhershme për Kumbullën, plus shpërblime të tjera të ndryshme, që mund ta rrisin vlerën e kartonit në 35 milionë euro. Në garë për qendërmbrojtësin e kombëtares është edhe Juventusi, ndonëse jepet më prapa në pretendime sesa Interi, por besohet se do të ketë konkurrencë edhe nga klube të tjerë. Faza e transferimeve në Itali nuk ka nisur ende, ndaj priten zhvillime të reja.

Sfidanti.al