Kanë kaluar gati 20 vjet nga titulli i fundit. Vllaznia duket sikur nuk arrin ta shohë as në ëndërr titullin kampion, e problemi kryesor duket se është pronësia e drejtimi nga Bashkia, ndërsa në Shkodër ka zhvillime. Një biznesmen vendas, Alban Xhaferi, ka bërë kërkesë zyrtare në pushtetin vendor për të pasur mundësi që të blejë aksionet e klubit të futbollit. Xhaferi është përfaqësues i degëve të disa bizneseve të rëndësishëm në Ballkan, ku spikat fakti se është përfaqësues i kompanisë së shquar japoneze të filmit, fotografisë apo bioteknologjisë, Fuxhifilm. Ai është president i Shoqatës së Basketbollit të Vllaznisë duke u bërë i njohur në qytet në dy vitet e fundit.
Vllaznia ka kaluar peripeci të mëdha për gati 20 vjet, ndërsa fitoi titujt në 1998 e 2001 me president Myftar Çelën, duke u përfaqësuar edhe në Champion, e në kupat e tjera të Europës. Që pas vrasjes së Çelës, klubi ka pasur disa presidentë, por pa mundur të kthehet në suksesin e dikurshëm, ndërsa vitet e fundit është drejtuar nga Bashkia. Në një vend si Shqipëria, ku ndërgjegja shoqërore ndaj institucioneve e pronës publike është shumë më e ulët sesa, të themi, në shtetet skandinave apo Gjermania, rezultati ishte rënia e fortë në rezultate, aq sa dy sezone më parë, Vllaznia ra nga Superliga.
Sfidanti.al