Vllaznia merr një trajner kampion, por pa një klub kampion!

Dy zhvillime në të njëjtën ditë në Shkodër. Më herët u zbulua kërkesa që biznesmeni Alban Xhaferi i kishte bërë Bashkisë për të privatizuar aksionet e Vllaznisë, dhe më pas erdhi marrëveshja e pushtetit vendor me trajnerin e ri, Hysen Dedja. Akordi i personalitetit të futbollit me kryetaren e Bashkisë, Ademi, ishte i lehtë, dhe si shkodran Dedja ishte i emocionuar që mund të ulej pas 14 vitesh në stolin e ekipit të zemrës, të ekipit të qytetit të lindjes.

Në moshën 59-vjeçare ai ka një tjetër shans në karrierë, ndoshta duke mos dhënë shumë shpresë, pasi ka qenë vetëm 1 sezo trajner në 11 vitet e fundit. Sidoqoftë, problemi kryesor nuk është “pensionimi” i përkohshëm dhe i parakohshëm i “Serit”. Dedja ka një “kabinet trofesh” shumë të mirë për historinë e Vllaznisë, me 2 tituj kampion e 3 Kupa të Shqipërisë si futbollist, dhe 1 titull kampion si trajner.

Problemi i Vllaznisë sot është se nuk ka një ekip për të dalë kampion. Dedja, me të drejtë, theksoi në konferencë se skuadra shkodrane ka “brumë”, ka lojtarë të mirë. Atëherë, pse nuk ka rezultate? Gishti drejtohet pikërisht nga Bashkia, nga Këshlli Bashkiak, ku disa “të fortë” po e përdorin Vllazninë si “lopë për ta mjelë”, si vend punësimi apo kënaqje të egove personale e familjare. Kur Myftar Çela ishte president, kërrkush nuk mundej të bënte kështu, dhe Vllaznia ishte pretendente për titull, duke u shpallur kampion në 1998 e 2001. Sot e patëm lajmin e dyfishtë, por nëse lajmi i parë (privatizimi) nuk merr vazhdë, atëherë as i dyti nuk do të ketë kuptim.

Sfidanti.al