Në verën e vitit 2004, me një projekt jashtëzakonisht ambicioz, bosi i Çelsit, Roman Abramoviç, krijoi një skuadër për të thyer Arsenalin e “Pathyeshëm” dhe Mançester Junajtidin e Sër Aleks Fergusonit. Me Zhoze Murinjon në stol, dhe me lojtarë si Petr Çeh, Xhon Terri, Rikardo Karvaljo, Eshli Koul, Paulo Ferreira, Frenk Lampard, Klod Makelele, Uilliam Galas, Arjen Roben, Eidur Gudjonsen apo Didie Drogba, ai Çelsi u shpall kampion dy vjet radhazi.
Tashmë, duket se miliarderi rus po kthehet sërish në kohët e ambicieve të mëdha. Ai beson se trajneri i sotëm, Frenk Lampard, ka personalitetin për të përsëritur heroizmat e Murinjos, dhe po shpenzon për të. Plot 43 milionë euro u paguan për Hakim Zijekun e Ajaksit, 60 milionë euro pritet të jepen për Timo Vernerin e Lajpcigut. Ben Çiluell i Leisterit, mbrojtës i majtë, që mund të kushtojë shumë, sepse është lojtar i Premier Ligës. Vlera e kartonit mund të arrijë nga 60 deri në 70 milionë euro. Mediat britanike njoftojnë se 85 milionë euro (minimalisht) mund t’i jepen Leverkusenit për Kai Havercin, edhe pse pritet të ketë konkurrencë të ashpër.
Sfidanti.al