Interi fiton në Firence e kryeson me ulërimat e Kontes nga tribuna!

Pati nga ata që tifozë që pas ndeshjes u shprehën me ironi në rrjetet sociale duke shkruar se “sa mirë do të ishte që trajneri të ishte i pezulluar edhe në ndeshjet e ardhshme”. Kjo për shkak të paraqitjeve të ekipit me dy fitore, me 4 gola të shënuar e asnjë të pësuar, dhe me vendin e parë në renditjen e Serisë A, ndonëse mund të jetë i përkohshëm. Antonio Konte ishte i mbyllur në një kabinë në stadiumin “Artemio Franki” të Firences, por sërish gjeti mënyrë për të komunikuar me ndihmësit e tij, duke rrëmbyer një mikrofon për të bërtitur fort. Bërtitje që u ndjenë mirë në stadium.

Interi fitoi dhe e meritoi, duke lënë pas krahëve humbjen 1-2 me Juventusin në Kupën e Italisë (pësuar në “San Siro”). Edhe pse Fiorentina luajti me guxim, sërish zikaltërit ishin më të fortë duke shënuar në 31’ në pjesën e parë, dhe pastaj në 52’. Autorët e golave ishin Barela e Perishiç, më të mirët në fushë. Konte bëri disa zëvendësime me Perishiçin që i zuri vendin Eshli Jangut, me Aleksis Sançezin që luajti në vend të Lautaros (që do të jetë në Kupë), ndërsa në fushë ishin dy rikthimet e mëdha, Lukaku dhe Hakimi. Interi ka 47 pikë ndaj 46 të Milanit duke pasur edhe golaverazh më të mirë (51-23 ndaj 41-23), por kuqezinjtë kanë një ndeshje për të luajtur, atë të së dielës ndaj Krotones në “San Siro”.

Sfidanti.al