U rihap apo jo kampionati? Vllaznia duhej të shqetësohej që pas Partizanit!

Nuk ishte kjo hera e parë që skuadra kryesuese e Superligës pësoi humbje. Madje, nuk ishte as fillestare në shtëpi, pasi kush e ka harruar disfatën 4-2 që Kukësi i shkaktoi Vllaznisë në Shkodër? Gjithsesi, ndërsa mbyllet faza e dytë dhe gjysma e sezonit, shifrat 1-2 ndaj Laçit sikur krijuan më shumë dyshime dhe presion ndaj skuadrës së trajnerit Tomas Brdariç. Me kurbinasit që tani janë 7 pikë larg, Partizani mund të afrohet në vetëm 6!

Sa duhet të alarmohet Vllaznia nga kjo humbje? Besohet se jo edhe aq pak, edhe pse është normale të humbësh me Laçin qoftë edhe në shtëpi kur je pa tifozë. Ajo që u pa, sidomos në pjesën e dytë ishte që shkodranët nuk u dukën aq të fortë sa përpara, dhe se kundërshtari u tregua më i fortë në minutat e fundit. Një gjë e tillë ndodhi edhe me Partizanin, pasi pjesa e dytë u luajt thuajse vetëm me një portë. Nuk duhet të jetë kjo loja e një favorite për titull dhe që kryeson Superligën me diferencë.

Ose, kuqeblutë kanë ulur intensitetin e përgatitjes dhe po ndihen më dobët fizikisht, ose euforia i ka prishur punë, ose janë që të dyja bashkë. Gjithsesi, do të shihet që nga ndeshja e radhës e cila mund ta ndihmojë ekipin e Brdariçit sepse luhet sërish në Shkodër dhe ndaj Apolonisë. Nëse nuk arrin të fitosh as ndaj fierakëve në shtëpi, atëherë është e vështirë të mendosh për të dalë kampion.

Sfidanti.al