Dalë nga dalë po vjen behari, thotë kënga e vjetër partizane, dhe dalë nga dalë mund të vijë Interi kampion, besojnë tifozët zikaltër. Skuadra e tyre e gdhiu të dielën në vendin e parë të Serisë A, anipse me një ndeshje më shumë të luajtur se Napoli. Të ëndërrosh nuk kushton asgjë, aq më tepër kur realiteti i afrohet asaj që fantazon. Mauro Ikardi e Marcel Brozoviç goditën njëri pas tjetrit dhe skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti përballoi vuajtjet në stadiumin “Sant Elia” të Kaljarit, duke triumfuar 3-1, falë një tjetër goli të kapitenit Ikardi.
Vendasit luajtën fort, portieri mik Samir Handanoviç ishte i shkëlqyer, dhe Interi po bën atë që të ndihmon të dalësh kampion në Itali, “po di që të vuajë”. Me lojtarë shumë të mirë në fushë si Handanoviç, Shkriniar, Miranda, Vesino, Galiardini, Kandreva, Borha Valero, Perishiç apo Ikardi, si dhe me të fortë në stol si Zhoao Mario, Karamoh, Eder apo Brozoviç, Interi jep garanci.
Ka 36 pikë, një më shumë se Napoli që nuk ka luajtur ende, dhe ka pësuar vetëm 10 (një më shumë sesa Napoli). Nuk ka asnjë humbje, njëlloj si skuadra e trajnerit Sarri. Sikur të rregullonte edhe pak shënjestrën para portës (28 rrjeta të realizuara, më pak se napolitanët, juventinët dhe lacialët), do të ishte pretendent më serioz për titullin e parë që nga viti 2010.
Sfidanti.al