Jup Hajnkes, mos vallë e kishte harruar ish-ekipin tënd, Gladbahun!

Jup Hajnkesi kishte marshuar triumfalisht në Bundesligë dhe në Europë deri mbrëmjen e fundit. Trajneri “i rënë nga qielli” i Bajernit, nuk kishte lejuar asgjë që të rezistonte përpara tij, por ja që më e keqja i ndodhi në Mynshengladbah! Kur?!! Po, po, në qytetin e lavdisë së tij në ditët e rinisë futbollistike!

Borusia vendase i shkaktoi humbjen e parë pasardhësit të Karlo Ançelotit, që nga dita kur mori detyrën. Në një farë mënyre, ish-klubi i tij sikur i tha se “duket sikur na kishte harruar”! Gjithsesi, as Hajnkes nuk mund të dalë më i fortë sesa dëmtimet, apo sesa probabiliteti. Një ditë edhe Bajerni i tij do të humbiste, dhe kjo ndodhi. Në fushën e stadiumit të Gladbahut nuk ishin Boateng, Roben, Tiago Alkantara, Alaba, Rafinja, Nojer, Tomas Myler dhe Riberi.

Tetë mungesa, tetë emra të shquar mangut, ishin shumë edhe për një ekip që dominon Bundesligën, një kampionat që tashmë mund të thuhet se ka jetë. Lajpcigu, pas fitores 2-0 me Verderin (golat nga Keita e Bernardo), është afruar në vetëm 3 pikë diferencë, dhe duket se do të jetë sërish rivali i bavarezëve. Torgan Hazar shënoi golin e parë për vendasit me penallti në 39’, dhe Matias Ginter dyfishoi rezultatin në 44’, në 5 minutat e mallkuara për kampionët. Nuk mjaftoi goli i Arturo Vidalit në 74’.

Sfidanti.al