Interi dhe Lautaro prishin festën e Kristjan Asllanit!

Shpresat për titull të paktën nuk u shuan, ndërsa do të ishin zhdukur për fare nëse nuk do të ishte fituar kjo ndeshje. Interi është kthyer sërish në versionin “e çmendur” duke i bërë me zemër tifozët në sfidën e Serisë A ndaj Empolit. Një e papritur e madhe po ndodhte në stadiumin “San Siro” të mbushur plot, kur Pinamonti shënoi golin e parë (lojtar, kartonin e të cilit e ka pikërisht Interi), dhe Kristjan Asllani shënoi të dytin për toskanët. Ky ishte goli i parë i mesfushorit të kombëtares shqiptare në karrierën e tij të shkurtër si futbollist profesionist.

Gjithsesi, zikaltërit reaguan shpejt pasi Simone Romanjoli shkaktoi autogol në 40’ dhe Lautaro Martinez barazoi në 45’. Pas pushimit, të besuarit e trajnerit Simone Inzagi ishin më të qetë duke siguruar fitoren me golat sërish nga Lautaro Martinez në 64’ dhe Aleksis Sançez në minutën e 4-ët shtesë pas asistit të Edin Xhekos. Boshnjaku goditi shtyllën disa minuta më herët. Me këtë sukses, kampionët kanë 78 pikë ndaj 77 të Milanit, por që ende duhet që ta luajë ndeshjen e javës së 36-të në fushën e Veronës. Interi ka numrin më të madh të golave të shënuar në Serinë A, 78, plot 17 rrjeta më shumë sesa Milani.

Sfidanti.al