Interi del me optimizëm nga “Bernabeu”, edhe pas humbjes 0-2!

Nuk është se disfatën e pësoi për shkak të një kartoni të kuq dhe aq. Nikolo Barela vërtet u nxitua shumë që reagoi keq ndaj ndërhyrjes së Militaos dhe përjashtimi i tij jo vetëm dëmtoi ndeshjen e Interit në “Bernabeu”, por mund ta dëmtojë edhe në raundin e dytë, pasi mesfushori i kombëtares së Italisë mund të dënohet deri në 2 ndeshje. Në “Santiago Bernabeu”, në përballjen e Championsit, Interi nuk luajti keq dhe i qendroi besnik filozofisë së trajnerit Simone Inzagi, edhe pse ndaj Realit është gjithnjë e vështirë. Në pjesën e parë zikaltërit mbajtën topin 58 për qind, patën 12 gjuajtje ndaj 5 të vendasve, dhe kornet ishin 6-0! Me të vërtetë, Reali u duk si skuadër province, por fitoi 45’ e para falë golit shumë të bukur të Toni Krosit.

Pas pushimit, me italianët që mbetën me 10 vetë, madrilenët e patën më të lehët, duke shënur me Asension. Zikaltërit u përpoqën edhe ashtu, të dyja skuadrat patën raste, shyllat i pati Reali 2-1, ndërsa një ndeshje e barabartë përfundoi 2-0 për spanjollët që kanë shumë më tepër përvojë sesa një ekip që kishte kaq vite pa Championsin (u kthye vjet me Konten), dhe 7 vjet pa u kualifikuar për në raundin e dytë.

Sfidanti.al