Nuk patën nevojë për nderin e Liverpulit, sepse nderin e tyre e mbrojtën vetë. Kampionët e Spanjës, futbollistët e Atletikos së Madridit, vërtet e kishin “dreqosur” punën deri tani, dhe e lanë për në fund, por gjithsesi e treguan veten. Fitorja 3-1 në “Estadio do Dragao” ndaj Portos vendase meriton të vendoset në “kornizë”, ndërsa të besuarit e trajnerit Diego Pablo Simeone u bënë të çmendur në kohën e duhur. Pavarësisht dëmtimit të Luis Suarezit dhe të kuqit për Karraskonë në 67’,
Atleti përballoi sfidën dhe fitoi me golat e shënuar nga Antuan Grizman në 56’, Angel Korrea në 90’ dhe Rodrigo de Paul në 90’+3. Nuk vlejti për gjë goli me penallti i Serzhio Oliveirës për vendasit në 90’+6, ndërsa Uendel doli jashtë me të kuqe për Porton në 71’. “Heronjtë e “Dragaos”, – shkruajti “Marka”, – një natë e pabesueshme, nata që ëndërronte Atletiko”. Gjithsesi, nuk ishte aspak e lehtë, përkundrazi. Portoja bëri lojën dhe bëri presion, duke mbajtur topin plot 68 për qind, e duke kryer 434 pasime ndaj vetëm 160 të spanjollëve. Gjithsesi, jo më kot Atletiko është ekip i Simeones, që më shumë dallohet nga shpirti dhe lufta sesa nga bukuria e lojës. Ia hodhi edhe këtë herë, falë gjithashtu dy pritjeve të mëdha të portierit Oblak në pjesën e parë.
Sfidanti.al