Shefi ekzekutiv i Borusias, Hans Joakim Vacke, është i zhgënjyer nga ato që po bën gjyqtari që mbajti drejtësinë në ndeshjen ndaj Bajernit fundjavën e kaluar në Bundesligë. Feliks Cvajer i dërgoi një letër drejtuesve të Dortmundit ku i kërkon një bisedë sy më sy me Xhud Belinghamin, dhe pretendon që lojtari t’i kërkojë falje. Deri këtu, në rregull, por Vacke është zemëruar që Cvajeri e ka bërë publike këtë çështje. “Kjo nuk është rruga e duhur, – tha ai, – nëse zoti Cvajer na dërgon letër mua dhe Mikael Corkut dhe pastaj e nxjerr lajmin në bulevard, nuk mendoj se do të arrijë ndonjë sukses me këtë. Nuk veprohet në këtë mënyrë”. Belingham e kritikoi ashpër gjyqtarin për mënyrën sesi drejtoi ndeshjen me Bajernin, duke thënë se “çfare pret kur ndeshjen më të rëndësishme në Gjermani ia lë në dorë një arbitri që ka trukuar më parë”. Anglezi nuk u pezullua, por u gjobit me 40 000 euro, para që do të paguhen edhe nga ai, edhe nga klubi.
Sfidanti.al