Interi bën fitoret “palë-palë”, titulli duket formalitet për kampionët!

Fitoret radhazi janë 6, ato pa pësuar gol u bënë 5, dhe po flasim për Serinë A. Nuk është se është “arratisur” aq shumë Interi, pasi rivalët janë ende aty pranë, por kur shikon epërsinë prej 4 pikësh kur diferenca pak javë më parë ishte -7 ndaj Napolit e Milanit, vërtet që skuadra e trajnerit Simone Inzagi duket e paarritshme dhe e pandalshme. Suksesi 5-0 në fushën e Salernitanës, i pari në kampionat për zikaltërit, ishte i padiskutueshëm, ndërsa golat u ndanë barabar. Perishiç, Damfris, Aleksis Sançez, Lautaro Martinez dhe Galiardini ishin autorët, pra tek skuadra e Inzagit nuk shënojnë vetëm sulmuesit.

Interi ka tani 103 gola në kampionat duke kaluar rekordin e klubit, ndërsa ka ende një ndeshje për të luajtur, në 22 dhjetor në “San Siro” ndaj Torinos. Rekordi i Milanit të viteve 50-të të shekullittë kaluar nuk mund të thyhet sepse është 120 gola, por gjithsesi kjo nuk do t’u prishë shumë punë kampionëve. Për këtë sezon, interistët janë më të mirët me 43 pikë ndaj 39 të Milanit e 37 të Atalantës, si dhe me 48 gola të shënuar, 11 më shumë sesa skuadra më e afërt pikërisht Atalanta.

Sfidanti.al