Talenti dhe karakteri nuk mungon. Nga Handanoviç, tek Antonio Kandreva apo Mauro Ikardi, janë të shumtë “kolonat” e këtij Interi. Luçiano Spaleti, trajneri i shquar nga Toskana, i quajtur “aktor” nga Masimiliano Alegri, ka edhe “fytyra” të tjera si Zhoao Mario, Vesino, Galiardini, Borha Valero, Eder, Miranda, Shkriniar, Perishiç, D’Ambrozio apo Brozoviç, megjithatë jo gjithkush është i bindur nga skuadra e tij.
A mund ta fitojë ky Inter, titullin? Pyetje e vështirë, përgjigjen e së cilës mund ta japë vetëm sezoni në vazhdim, veçse në Itali sondazhi ka “vota pro” dhe “vota kundër”. Në favor të Interit janë faktorët si rritja e madhe në krahasim me vjet, talentet që ka në ekip, lojtarë që më parë nuk ishin në këtë nivel si dhe vetë Spaleti. Kundër janë faktorë të tjerë si besimi ende jo i plotë tek forcat e veta, dhe sasia më e kufizuar e lojtarëve në krahasim me rivalët që duken më të “pajisur”.
Edhe sondazhi në “La Gazeta delo Sport” është negativ, pasi vetëm 38.4 për qind kanë shprehur besimin se Interi del kampion. Natyrisht, këto sondazhe shpesh janë si votimet në Festivalin Europian të Këngës, pra me preference personale, dhe jo objektive, gjithsesi për zikaltërit do të jetë e vështirë. Spaleti, nga ana e tij, nuk dëshiron të bëjë shumë “filozofi”. “Ndaj Sampdorias zhvilluam një ndeshje të madhe, – tha ai, – edhe pse disa minuta gabuam. Këto janë gjëra që ndodhin dhe ne jemi në luftë për titull “deri në fyt””.
Sfidanti.al