Inter-Juventus, të gjithë premtojnë spektakël në derbin e Italisë!

Është Derbi origjinal i Italisë. Pa i hequr asnjë meritë duelit Juventus-Milan, tradita e do që këtë epitet ta ketë Inter-Juventus, me dy gjigandët që ndeshen sot në “San Siro” të Milanos, për Serinë A. Zikaltërit, në vend të tretë, duan të sigurojnë plotësisht kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa në javët e ardhshme do të ndeshen edhe me Napolin.

Interi nuk ka shqetësime me dëmtimet, me përjashtim të mbrojtësit Vrsaljko. Gjithsesi, lojtari më polemik i sezonit, Mauro Ikardi, nuk pritet të jetë në formacion, ndërsa peshën e sulmit besohet se do ta mbajë Lautaro Martinez. Trajneri Luçiano Spaleti thotë se kroati Brozoviç do të luajë dhe ky është një rikthim i rëndësishëm sidomos për këtë ndeshje. Spaleti e komentoi kështu ndeshjen.

“Në ndeshjet e fundit, brenda apo jashtë fushe, ne kemi luajtur mirë futboll, – tha ai, – do të përpiqemi të bëjmë po kështu edhe ndaj Juventusit. Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje, dhe ka vetëm një mënyrë. Të kemi ekuilibër mes sulmit dhe mbrojtjes. Juventusi do të bëjë lojën e tij, mbështetur tek lojtarët e mëdhenj, dhe ne duhet të veprojmë shpejt”.

Po Juventusi çfarë do të bëjë? Kampionët u shpallën sërish kampionë, pra motivimi mund të mos jetë ai i zakonshmi, edhe pse trajneri Alegri thekson të kundërtën. Megjithatë, torinezët do të kenë disa mungesa. Dagllas Kosta, Mario Manxhukiç, Paulo Dibala, Kedira, Betankur apo Perin nuk janë të gatshëm. Masimiliano Alegri mendon se, për asnjë arsye, nuk duhet prishur bukuria tradicionale e derbit.

“Ne nuk do të dalim në “San Siro” për të bërë shëtitje, por për të luajtur një ndeshje të vërtetë, – tha ai, – ndaj Interit, është gjithnjë një ndeshje e veçantë, do të luajmë përpara një stadiumi të mbushur plot. Do të bëjmë atë që kemi bërë çdo vit, të synojmë që të përmirësohemi edhe më shumë. Një duel i madh që na motivon shumë”.

Bilanci i derbit në “San Siro”, për Serinë A, është në favor të Interit, edhe pse jo me epërsi të madhe, me 36 fitore të vendasve, por edhe 23 të juventinëve, ndërsa bilanci total është thellësisht në favor të Juves. Edhe parashikimet e kompanive të basteve janë lehtësisht në favor të miqve.

Sfidanti.al