Kur Kevin Duranti vendos “veton” Golden Stejti kurrë nuk humbet!

Jo më kot është lojtari më i mirë i finaleve në dy sezonet e fundit. Kevin Durant cilësohet shpesh si rivali i vetëm i Lebron Xhejmsit gjithë këta vjet, dhe ai tregoi arsyen, në mënyrën sesi luajti në ndeshjen e gjashtë të plej ofit. i lodhur nga rezistenca e gjatë e Klipersave, ylli i Golden Stejtit shkëlqeu pa masë në Los Anxhelos, duke shënuar 50 pikë.

Një rekord i karrierës së tij në plej of, dhe diçka që i jep shpresë kampionëve në fuqi të NBA-së se mund ta mbrojnë titullin, pavarësisht problemeve të mëdha që po provojnë. Ndaj Klipersave, Golden Stejti humbi dy herë në fushën e vet, dhe kjo për shkak të mungesës së energjisë dhe të ritmit të lartë gjatë gjithë ndeshjes.

A do ta kenë kampionët këtë energji dhe këtë ritëm, në raundin e dytë, shumë më të vështirë, ndaj Hjustonit? E sigurt është se do të kenë Durantin, për t’u matur me yllin më të madh të skuadrës nga Teksasi, Xhejms Hardenin. Përveç 50 pikëve, basketbollisti me numrin 35 kapi edhe 6 topa në tabela, shërbeu 5 pasime për kosh, vodhi 1 top dhe bllokoi një gjuajtje të kundërshtarëve.

Stefën Kërri nuk ishte në nivelet maksimale si shënues, por gjithsesi u vlerësua mjaft. Ai realizoi 24 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, ndërsa mori vlerësimin edhe më të madh se Duranti. Drejmond Grin u tregua i rëndësishëm me një tripëll dabëll, 16 pikë, 14 topa në tabela, 10 pasime për kosh si dhe 4 bllokime gjuajtjesh.

Vetëm kapiteni Klej Tompson nuk ishte ai i zakonshmi, për kampionët të cilëve u mungon përfundimisht lojtari qendër, Demarkus Kouzins. Gjysmëfinalet e Konferencës Perëndimore ndaj Hjustonit pritet të jenë shumë të vështira. Kundërshtari do të ketë dy ditë më shumë pushim, por Golden Stejti do ta nisë serinë në Arenën e tij.

Sfidanti.al