Gara duket jo si për të fituar, por për të humbur. Jo vetëm për Totenhemin që pësoi disfatën e parë në stadiumin e tij të ri, por edhe për pretendentët e tjerë për në Champions të kampionatit anglez. Spërsat u mundën për të dytën herë radhazi, pas rezultatit minimal 0-1 në fushën e Mançester Sitit.
Pretendenti tjetër Arsenali po ashtu ka provuar dy disfata njërën pas tjetrës, Çelsi vazhdon të humbasë pikë që nuk priten, ndërsa Mançester Junajtid është në pozitën më të vështirë nga të gjithë, sepse humbi derbin me Sitin në “Old Traford”. Me të drejtë, tabloidi anglez “Deili Meil”, pyet: A dëshiron ndokush që të jetë në katërshen e parë këtë sezon?
Gjithsesi, nuk pritej kjo rënie e Totenhemit në fushën e tij ndaj Uest Hemit, edhe pse ishte një derbi. Çfarë ndodhi pra, me skuadrën kaq shumë të vlerësuar të trajnerit Maurisio Poçetino, të kualifikuar për në gjysmëfinalen e Championsit, duke eleminuar pikërisht Mançester Sitin?
Poçetino pohoi pas ndeshjes se lojtarët e tij ishin të lodhur, dhe kjo ndikon shumë në një kampionat tepër fizik dhe me ritëm të lartë si Premier Liga. Në pjesën e dytë, të mbiquajtur “çekiçët” merituan gjithçka, duke vrapuar më shumë e duke patur ndeshjen në dorë.
Totenhemi mori një goditje të rëndë, kur i mbeten edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit, veçse Poçetino kërkoi që të harrohet sa më shpejt kjo që ndodhi, pasi objektivat duhen arritur në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve.
Sfidanti.al