Ikardi? Interi nuk ka nevojë për Mauron, duke pasur Konten

Zhoze Murinjo një herë, kur ishte tek Reali, u tha gazetarëve se “ju shkruani se futbollistët e mi janë yje, por edhe unë jam një yll”. Antonio Konte nuk është aq “cipëplasur” sa ta thotë, dhe ndoshta as nuk e mendon, por e vërteta është se Interi ka marrë një yll në stol. Entuziazmi dhe besimi që ka krijuar ai mbulon thuajse gjithçka, edhe lajmin për largimin nga grumbullimi të ish-kapitenit, Mauro Ikardi. Njeriu që hyri në rrugën e përplasjes me klubin në mesin e sezonit, mori mesazhin se nuk ishte i nevojshëm, ndërsa iu tregua dera, kuptohet sipas udhëzimeve të Kontes.

Teknikisht, mungesa e Ikardit mund të jetë problem për Interin, nëse zikaltërit nuk do të kenë sulmues të madh për ta zëvendësuar, dhe nuk dihet nëse Romelu Lukaku dhe (ose) Edin Xheko do të jenë në nivelin e kërkuar. Gjithsesi, Konte ka treguar se ka fituar edhe pa një sulmues të madh. Tek Juventusi doli kampion në 2013 kur shënuesit më të mirë ishin Vidal e Vuçiniç me nga 10 gola secili. Gjithsesi, të mos harrojmë se prishja me Diego Kostën tek Çelsi e dëmtoi dhe blutë e Londrës nuk e mbrojtën dot titullin në 2018.

Pavarësisht gjithçkaje, Konte është një njeri fitues që galvanizon ambientin. Rrugën drejt suksesit e nisi në 2007, në stolin e Barit, ekip që fillimisht e mbajti në Serinë B, dhe në 2009 e nxorri kampion të kategorisë së dytë, duke e kualifikuar për në Serinë A. Në 2010, ai u caktua trajner i Sienës, dhe në 2011 skuadra toskane u ngjit në Serinë A.

Me Juventusin fitoi titujt radhazi në 2011-2014, edhe nuk shkëlqeu në Europë. Në 2014 u bë trajner i Italisë duke e kualifikuar kombëtaren në Euro 2016, ku doli e para në grup, eleminoi Spanjën në turin e dytë, dhe u mund vetëm me penallti (1-1, 5-6) nga Gjermania kampione e botës. Me Çelsin doli kampion në 2017. Pra, Interi po merr një trajner fitues, që është yll po aq sa lojtarët e tij.

Sfidanti.al